Mandati teknik i misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) është vazhduar sot përmes një shkëmbimi letrash ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve të BE-së. Këtë e ka konfirmuar zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në letrën e saj drejtuar Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, znj. Kaja Kallas, Presidentja Osmani ka theksuar se mandati i ri është teknik dhe joekzekutiv, duke nënvizuar se fokusi i EULEX-it mbetet në fushat e monitorimit, mentorimit dhe këshilldhënies.
Po ashtu, Osmani ka kërkuar që misioni i BE-së t’ia dorëzojë autoriteteve të Kosovës të gjitha dokumentet që posedon nga periudha kur kishte mandat ekzekutiv. Në të njëjtën kohë, ajo ka theksuar rëndësinë që të gjitha aktivitetet e EULEX-it të jenë në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur institucionet e Kosovës janë të përqendruara në forcimin e rendit dhe ligjit përmes mekanizmave vendës, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.