Të paktën 15 palestinezë janë vrarë në Gaza që nga agimi i sotëm, thanë autoritetet spitalore.
Sulmet izraelite vazhdojnë të godasin enklavën, pavarësisht thirrjes së presidentit amerikan Donald Trump të premten që Izraeli të “ndalojë menjëherë bombardimet” dhe ndërkohë që delegacione nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Hamasi po shkojnë në Egjipt për të diskutuar propozimin e tij për armëpushim.
Bisedimet indirekte midis Izraelit dhe Hamasit pritet të fillojnë nesër në Sharm el-Sheikh, Egjipt, sipas një zyrtari egjiptian dhe tre burimeve izraelite – siç raportuam më herët.
Të paktën 67 persona u vranë në Gaza dje ndërsa bombardimet izraelite vazhduan, thanë zyrtarët e spitalit. Shtatëmbëdhjetë – shumë prej tyre fëmijë – u vranë pasi një sulm goditi një shtëpi në Qytetin e Gazës, i cili regjistroi pjesën më të madhe të viktimave të së shtunës në enklavë.
Numri i të plagosurve gjithashtu vazhdon të rritet. Më shumë se 460 persona u trajtuan të shtunën në spitalin Al-Ahli Arab në Qytetin e Gazës, tha Dr. Fadel Naim, i cili punon atje.
“Ekipet mjekësore ende po luftojnë për të shpëtuar jetë mes mungesave të rënda të stafit, furnizimeve dhe ilaçeve, si dhe për shkak të numrit dërrmues të pacientëve që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale,” tha ai.
Ndërkohë, në Spitalin Al-Shiffa në Qytetin e Gazës, drejtori Dr. Mohammad Abu Salmiya i tha CNN se ka shumë pak spitale ende funksionale në qytet dhe ato janë në gjendje të ofrojnë vetëm nivelin minimal të shërbimit.
“Situata mjekësore dhe humanitare në Qytetin e Gazës mbetet katastrofike në çdo kuptim të fjalës,” tha ai.