Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” është bashkëorganizator i Konferencës së 8-të Ndërkombëtare për Shkencë dhe Teknologji (ICONST 2025), e cila po zhvillohet nga 28 deri më 30 maj 2025 në Budapest, Hungari, nën mikpritjen e Universitetit Obuda dhe në bashkëpunim me një numër të gjerë institucionesh akademike nga rajoni dhe më gjerë.
Kjo konferencë, e cila mbahet në format hibrid (fizikisht dhe online), ka si temë qendrore “Shkenca për Teknologji të Qëndrueshme” dhe synon të nxisë kërkimin shkencor, inovacionin dhe zgjidhjet për një të ardhme më të qëndrueshme.
Universiteti i Prizrenit u përfaqësua nga Rektori, Prof. Mentor Alishani, i cili mbajti një fjalim përshëndetës në ceremoninë hapëse, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit akademik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në zhvillimin e qëndrueshëm.
Në sesionet shkencore të konferencës morën pjesë dhe prezantuan punimet e tyre Prorektorja Serdan Kervan, si dhe profesoreshat Esen Spahi-Kovaç dhe Esma Kasemi, të cilat kontribuan me punime kërkimore me rëndësi për fushat përkatëse.
Përfshirja e Universitetit të Prizrenit si bashkëorganizator në këtë ngjarje të nivelit të lartë është një dëshmi e përkushtimit të tij ndaj zhvillimit të shkencës, ndërkombëtarizimit dhe ngritjes së cilësisë akademike.