Presidenti i SHBA-së, Donald Trump komentoi deklaratën e ish-presidentit rus, Dmitry Medvedev, i cili një ditë më parë deklaroi se Rusia dhe vendet e tjera janë të gatshme të furnizojë Iranin me pjesë armësh bërthamore.
Në një reagim në platformën e tij Truth Social ai shkruan se, “E dëgjova ish-Presidentin, Medvedev, nga Rusia, duke hedhur me indiferencë fjalën “N” (Bërthamore!) dhe duke thënë se ai dhe vende të tjera do ta furnizojnë Iranin me armë bërthamore? A e tha vërtet këtë apo është thjesht një pjellë e imagjinatës sime?”, shkroi presidenti amerikan.
Më pas ai vazhdoi, duke e futur Putinin në “lojë”: “Nëse e tha këtë, dhe nëse konfirmohet, ju lutem më njoftoni, MENJËHERË. Fjala “N” nuk duhet të përdoret kaq. Mendoj se kjo është arsyeja pse Putin është ‘SHEFI’”.
Më tej Trump vlerësoi pajisjet ushtarake të vendit të tij në lidhje me sulmet ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
“Meqë ra fjala, nëse dikush mendon se ‘pajisjet’ tona ishin të shkëlqyera gjatë fundjavës, deri tani pajisjet më të fuqishme dhe më të mira që kemi, 20 vjet përpara të tjerëve, janë nëndetëset tona bërthamore. Ato janë armët më të fuqishme dhe vdekjeprurëse të ndërtuara ndonjëherë, dhe sapo qëlluan 30 Tomahawk. Të 30 goditën objektivin e tyre në mënyrë të përsosur. Pra, përveç pilotëve tanë të shkëlqyer luftarakë, faleminderit kapitenit dhe ekuipazhit!”, përfundoi në postim presidenti.