Deputetet e Kuvendit të Kosovës, do të mblidhen për herën e 38-të në një përpjekje të radhës për ta konstituuar legjislaturën e nëntë.
Seanca e cila nisi më 15 prill 2025, do të vazhdojë sot më 27.06.2025 me fillim nga ora 11.00. Kjo seancë ka mbetur në pikën e tretë të rendit të ditës: zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Seanca është vazhdim i ndërprerjes së vazhdueshme, për shkak të pamundësisë për të krijuar Komisionin për Votim të Fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Për dallim prej vazhdimeve të tjera, tashmë Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin në lidhje me seancën konsituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se e njëjta nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet dhe kërkesat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata ka marrë vendim më 26.06.2025, se deputetët “duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e tij”.
Megjithatë, partitë politike këtë aktgjykim nuk e kanë interpretuar në mënyrë të njëjtë. Lëvizja Vetëvendosje konsideron se sipas aktgjykimit ka pasur të drejtë në insistimin për formimin e Komisionit të fshehtë, kurse PDK-LDK dhe AAK, vazhdojnë të këmbëngulin se i takon LVV-së ta zhbllokoj situatën.
Lëvizja Vetëvendosje, që ka të drejtën të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë post, por ajo nuk i ka marrë asnjëherë votat e nevojshme për të qenë kryeparlamentare.
Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka takuar liderët partiak më 15.05.2025 në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, por as nga ky takim nuk ka rezultuar ndonjë progres në tejkalim të bllokadës institucionale.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 09.02.2025. LVV ka fituar 48 ulëse në Kuvend, PDK 24, LDK 20, koalicioni AAK-NISMA 8, Lista Serbe 9, pakicat joserbe 10 dhe Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë 1.