Vedat Muriqi është përshtatur më së miri në elitën e futbollit spanjoll, duke shënuar golin e tij të dytë me ekipin e Mallorcas, në tre ndeshje të luajtura.
Ekipi i sulmuesit u mund në transfertë me rezultatin 2-1 nga Real Betis, megjithatë 27-vjeçari ia ka dalë që të lërë gjurmë.
Ai arriti që të shënonte në minutën e 57’, duke i dhënë barazimin momental ekipit të tij, rezultat që nuk mundën ta mbanin deri në fund. Më parë, në takimin me Athletic Bilbao, të cilin Mallorca e fitoi me shifrat 3-2, lojtari i kombëtares së Kosovës shënoi një gol dhe dhuroi dy asiste.
Sulmuesi nga Prizreni po i tregon në këtë mënyrë trajnerit Sarri, se ndoshta nuk ka qenë te ai faji që nuk gjente golin me Lazion.
Megjithatë Vedat Muriqi ka kaluar te Mallorca në formë huazimi deri në fund të sezoni, por në kontratë përfshihet edhe e drejta e blerjes, kështu që do të shihet në verë se cila do jetë e ardhmja e tij.