Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta lejojë gastronominë të punojë pas orës 11:00 e po ashtu duhet t’i lejojë dasmat dhe ahengjet.
Sogojeva ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së se gastronomët dhe sektori i hotelerisë e turizmit garanton se do të punojë konform rregullave të përcaktuara nga ekzekutivi.
Ai ka thënë se 90% e punonjësve të këtyre dy sektorëve tashmë janë vaksinuar.
“Ne në çdo takim edhe tani e themi, ju garantojmë që do të punohet konform rregullave. 1000 metër katrorë i ka një sallë dasmash, 150 persona a e din sa pak janë, nëse e bëjmë këtë krahasim. Në 10 metër katror 4 veta do të jenë në hapësira të mbyllura. Shteti duhet të ketë mekanizmat e kontrollit. Nëse i lëshojmë masat tash dhe e shohim se po rriten rastet, mund ta ndalim prapë punën. 90% e punonjësve të gastronomisë e hotelerisë sipas informatave që kemi janë vaksinuar. Në sektorin privat, shumica absolute e stafit të gastronomisë, hotelerisë dhe turizmit janë të vaksinuar. Nuk ka logjikë edhe pronari ta pranojë një kamarier i cili nuk është i vaksinuar”, ka thënë Sogojeva.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës po tregohet selektive sa i përket masave anti-COVID.
Ai po ashtu ka thënë se vendimi i një dite më parë për masat është marrë pa u konsultuar me gastronominë dhe hotelerinë e turizmin.
“Pse të mos bisedohet qysh kemi biseduar, çdo vendim që e kemi marrë bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë ka dalë më i mirë. Ndërsa nëse merret një vendim pa u konsultuar është i njëanshëm dhe çdo vendim i njëanshëm ka pasoja”, ka thënë Sogojeva.