Ministria e Arsimit ka njoftuar se afati për ta paraqitur provimin e maturës në platformën e-Kosova është shtyrë deri më 12.06.2024, në ora 24:00, ndërsa afati i aprovimit nga shkollat është deri më 13.06.2024, në ora 14:00.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, deri më tani 17,460 nxënës e kanë paraqitur provimin e Maturës përmes platformës e-Kosova.
15,639 prej tyre janë konfirmuar nga koordinatorët e shkollave.
Ministria vlerëson se paraqitja online e provimit të maturës ka për qëllim ta lehtësojë punën e të gjithë personave që janë të përfshirë në këtë proces dhe se do të gjenerohen edhe të dhëna të tjera.
“Paraqitja online e provimit ka për qëllim të lehtësojë punën e të gjithë akterëve të përshirë në proces, si: nxënësit (maturantët), shkollat, komunat dhe MAShTI. Përveç paraqitjes online të Provimit Shtetëror të Maturës, kjo platformë do të mundësojë edhe gjenerimin e të dhënave për orientimin dhe sistemimin e maturantëve në qendrat e testimit, shpalljen e rezultateve dhe përgatitjen e certifikatës së maturës online” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit, më 10.06.2024.
Kjo është hera e parë që nxënësit e paraqesin në formë online provimin e maturës derisa më parë e kanë paraqitur fizikisht në shkollë.
Aplikimi për ta paraqitur provimin e maturës në platformën e-Kosova është lansuar më 27.05.2024.
Për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, paraqitja online e provimit të maturës është një hap i rëndësishëm në digjitalizimin e arsimit parauniversitar.
“Të dashur maturantë, për herë të parë nga ky vit po e bëjmë një hap të rëndësishëm në funksion të digjitalizimit të sistemit të arsimit parauniversitar. Po e lansojmë sot (27.05.2024) në platformën e-Kosova, paraqitjen online të Provimit Shtetëror të Maturës” – ka thënë ministrja Nagavci më 27.05.2024.
Sipas ministres Nagavci, procesi i aplikimit nga ana e nxënësve në platformën e-Kosova do të jetë shumë i lehtë, i shpejtë dhe efektiv në procesimin e të dhënave dhe adresimin e informatave.
Provimi i maturës do të mbahet më 22.06.2024, kurse afati i dytë për ata që nuk arrijnë ta përfundojnë në qershor është më 31.08.2024.