Policia e Kosovës ka raportuar për shtatë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë. Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës dy raste kanë ndodhur në Fushë-Kosovë, ndërsa nga një në Prishtinë, Obiliq, Podujevë, Graçanicë dhe Klinë.
Në Fushë-Kosovë në një rast një grua është ndaluar e më pas është liruar në procedurë të rregullt, pasi dyshohet se për motive xhelozie ka sulmuar ish-bashkëshortin me të cilin ende jeton në një banesë.
“Fushë Kosovë / 14.06.2025-08:30. Është arrestuar e dyshuara f/k nën dyshimin se e njëjta ka sulmuar fizikisht për motive xhelozie ish-bashkëshortin e saj m/k me të cilin jetojnë në një banesë. Viktima ka pësuar lëndime. Në konsultim me prokurorin, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar policia.
E në një rast tjetër në Fushë-Kosovë, një grua dyshohet se u sulmua fizikisht nga i dashuri i saj. Rasti po hetohet.
Në Prishtinë një i dyshuar, me shtetësi të huaj, dyshohet se nën ndikimin e alkoolit ka sulmuar fizikisht bashkëshorten. I dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Në Obiliq një person është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, pasi gjatë një mosmarrëveshje dyshohet se i ka sulmuar fizikisht prindërit e tij.
“Obiliq 14.06.2025, 15:00. Është arrestuar i dyshuari m/k pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht prindërit e tij . Viktimat dhe i dyshuari kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.
Në Podujevë një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj në mbrëmjen e të shtunës , e në Graçanicë është ndaluar një person, e është liruar në procedurë të rregullt, pas dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten.
Në Klinë një i dyshuar është ndaluar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes.
“Klinë / 13.06.2025 – 16:00. I dyshuari m/k dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes, e cila si pasojë ka pranuar tretman mjekësor. Pas intervistimit viktima me dëshirën e saj është kthyer në shtëpinë e bashkëshortit, kurse i dyshuari në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”./KOHA/