Kanë kaluar shtatë muaj që nga përmbytjet që goditën rëndë komunën e Dragashit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën publike.
Sipas autoriteteve lokale, dëmet e shkaktuara kapin mbi 1.2 milionë euro.
Kryetari i komunës, Bexhet Xheladini, ka shprehur shqetësimin e tij, duke theksuar se Qeveria e Kosovës deri tani nuk ka ndarë asnjë cent për ndihmën e kësaj komune dhe as për ndihmën private të familjeve të prekura.
Në 26 qershor 2024, dhjetë fshatra u përballën me përmbytje masive të shkaktuara nga reshjet e shiut.
Pas fatkeqësisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vizitoi zonën e goditur dhe shprehu shqetësimin për situatën.
Ai theksoi se përmbytjet ndodhën në një periudhë kohore kur askush nga banorët nuk ndodhej në bodrumet e shtëpive, përndryshe, sipas tij, mund të kishte pasur viktima, raporton gazetari Nuhi Salihu, në emisionin “Fol me Arin” në Klan Kosova FM.
Në një postim në Facebook, Kurti premtoi se Qeveria do të jetë pranë qytetarëve të Dragashit dhe do të punojë për të kaluar sa më shpejt këtë situatë të vështirë.
Por, shtatë muaj pas atij angazhimi, banorët e komunës ndihen të braktisur dhe pa asnjë mbështetje financiare për t’u rikuperuar nga dëmet e shkaktuara./Klankosova.tv.