Pas shpërthimit të sotëm në kanalin e ujitjes Ibër-Lepenci, ka reaguar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se kjo është pasojë e një politike krejt të gabuar të Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje në këtë pjesë të Kosovës.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po rrezikon infrastrukturën strategjike të Kosovës.
“Shpërthimi i sotshëm në Ibër si edhe shpërthimi i mëparshëm në Zubin Potok manifeston mungesën e qasjes praktike të Qeverisë së Kosovës dhe është pasojë e një politike krejt të gabuar të Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje në këtë pjesë të Kosovës. Institucionet e sigurisë të punojnë ngushtë me KFOR dhe prezencën amerikane. Filmat, naiviteti dhe mosnjohuria me esencën e problemit nga ana e zyrtarëve politikë të Qeverisë po rrezikon infrastrukturën strategjike të Kosovës. Mjaft më me filma!”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me ç’rast është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit. Rasti i sotëm vjen pasi gjatë dy ditëve të fundit në veri të vendit, respektivisht në Zveçan, janë sulmuar me granata dore objektet e stacionit policor dhe ai i Komunës. Ndërsa, pas incidenteve të fundit në veri të vendit, Policia e Kosovës sonte ka njoftuar se do të shtojë masat e sigurisë në nivel vendi.