E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka falënderuar Kosovën që u bë shteti i parë evropian që ka pranuar emigrantët e dëbuar nga SHBA-ja.
“Faleminderit partneres sonë, Kosovës, shtetit të parë në Evropë që njoftoi pranimin e shtetasve të vendeve të treta, të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara. Sigurimi i kufirit amerikan është prioritet kyç i Administratës Trump dhe unë e vlerësoj si Qeverinë ashtu edhe popullin e Kosovës për partneritetin e tyre”, ka thënë Prattipati në një postim të publikuar nga llogaria e Ambasadës Amerikane në rrjete sociale.
Ditë më parë, Qeveria e Kosovës e miratoi vendimin për pranimin e 50 emigrantëve, kryesisht nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela, të cilëve u është tërhequr statusi i përkohshëm ligjor në SHBA. Kjo për arsye, siç thuhet, lehtësimin e kthimit të tyre në vendlindje.