Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se jeta pas pandemisë do të jetë më e shtrenjtë se para pandemisë.
Duke folur për ngritjen e çmimeve të shumë produkteve javëve të fundit në Kosovë, Rukiqi ka thënë “DESKU” të KTV-së se kurrë më shumë s’ka pasur mjete të lira që i kanë ndarë qeveritë për rimëkëmbje.
Mirëpo siç ka thënë, është rritur kërkesa dhe ka mungesë të fuqisë punëtore.
“Një konstatim në bazë të shumë analizave që po paraqiten, duke pa edhe këtë që ka në sistemin financiar global, kurrë më shumë s’ka pasur mjete të lira që i kanë ndarë Qeveritë për rimëkëmbje. Është rritur kërkesa, ka mungesë të fuqisë punëtore, pra nga një krizë e kërkesës po kalojmë në një krizë të ofertës, nuk po ka mjaftueshëm furnizime dhe kjo e ka rritur koston e punës e të kapitalit dhe kjo mund të ndikojë në çmimet finale, shto këtu edhe koston e lëndës së parë. E tërë kjo e ka krijuar një situatë që pothuajse të gjitha kategoritë e çmimeve të rëndësishme, përfshirë këtu edhe energjinë edhe transportin, të ndikojë në rritjen e çmimeve. Pra, jeta pas pandemisë do të jetë më e shtrenjtë se para pandemisë”, ka thënë Rukiqi.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, Rukiqi ka thënë se privatizuesi i rrjetit dhe distribucionit, pavarësisht çdo rrethane është i obliguar që ta furnizojë secilin qytetar dhe biznes me energji elektrike.
“Kosova ka pasur një periudhë të errët dhe në kontratën që e ka nënshkruar ai që e ka privatizuar rrjetin dhe distribucionin, pavarësisht çdo rrethane ata janë të obliguar që ta furnizojnë secilin qytetar dhe biznes me energji elektrike. Mund të ketë avari elektrike të forcës madhore që mund ta pengojnë këtë mirëpo derisa ka mundësi të importohet nga tregjet e hapura ata e kanë për detyrë që tëq bëjnë furnizimin”, ka thënë Rukiqi.
