Naim Rudari, në cilësinë e ish-hetuesit ka folur rreth vjedhjeve grabitqare dhe grabitjeve që po ndodhin në Kosovë.
Ai tha se grabitjet dhe vjedhjet grabitqare janë shumë më të rrezikshme sesa vjedhjet, sepse sipas tij, dy të parat kanë në vete edhe dhunën.
Rudari gjithashtu tha se ekziston edhe një dallim mes grabitjeve dhe vjedhjeve grabitqare.
“Një dallim i vogël është tek vjedhja penale grabitje dhe vjedhje grabitqare sepse ekzistojnë vjedhjet grabitqare që është tipike vjedhje, kur ai zihet në flagrancë dhe për ta mbrojtur sendin e vjedhur, përdor sendin e vjedhur për ta mbajtur atë e që bënë pjesë tek vjedhjet grabitqare, por tek grabitjet janë veprat që janë veprat që janë më të rrezikshme se vet kryerësi e di se do të del me dhunë ta marrë sendin, jo në fshehtësi por do të futet tek sendi ku beson se mund të ketë pasuri të luajtshme në përdorim të forcës e merr dhe këtu kemi raste kur pavarësisht rezultateve dhe rrethanave të tjera kanë pësuar edhe me fatalitet”, është shprehur Rudari në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosovë.
Tutje, ai tha se grabitjet mund të jenë më të rralla, por janë më të rrezikshme, teksa shtoi se vendet më të shpeshta të grabitjeve janë institucionet bankare apo vendet kur parashihet të ketë shuma të mëdha parash.
Më tej, Rudari tha se në Kosovë duhet që të ndërrohet Kodi Penal, pasi sipas tij, në Kosovë kur dikush vëren ndonjë person që është duke kryer vepër penale të vjedhjes ose grabitjes në pronën e tij, atëherë me ligj lejohet që dikush ta zmbrapsë sulmin për ta mbrojtur vetën, por nuk parashihet për ta mbrojtur pasurinë apo interesat e tjera.
“Kjo duhet ndryshuar, dhe është interes i qytetarëve që ta kenë në Kodin Penal të Kosovës që tu mundësohet të gjithë qytetarëve që në rast se përdorin armën për të mbrojtur vetën dhe interesat e tyre pasurore atëherë të mos llogaritet që kanë përgjegjësi penale në situatat të tilla por të llogaritet se është mbrojtje e nevojshme për të larguar sulmin”, është shprehur Rudari, njofton Klankosova.tv.
Ndërsa, sa i përket dënimeve,Rudari tha se politika ndëshkimore nuk është në nivelin e duhur, por niveli i hetimit, sipas tij, nga ana e institucioneve është në nivel të mirë.
“Niveli i hetimit nga ana e institucioneve është i kënaqshëm. Por, politika ndëshkimore nuk është në nivelin e duhur. As ajo e shkruar në ligj e as ajo që zbatohet në praktikë dhe në këtë rast vlerësoj se duhet të kenë kujdes që të gjithë dhe duhet të ashpërsohen dënimet për këto vepra penale sepse bëjnë pjesë në veprat më të rrezikshme që ndodhin në vend”, ka thënë Rudari, njofton Klankosova.tv.