Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të vizitojë Serbinë më 3 dhe 4 nëntor, ku do të mbahet takimi i radhës mes tri vendeve që kanë firmosur për iniciativën Ballkani i Hapur, e cila po kundërshtohet nga Kosova.
Mësohet se Rama, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev do të diskutojnë në Beograd për hapat e radhës për konkretizimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave për qytetarët e tyre. Takimi mes liderëve të shteteve do të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe më pas do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp, përcjell OraNews.
Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse në Beograd janë thirrur të marrin pjesë dhe përfaqësuesit e tri vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që ende nuk e kanë hedhur hapin për t’iu bashkuar kësaj nisme.
Ballkani i hapur është nisma e re e bashkëpunimit rajonal mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Emërtimi i ri i nismës u prezantua më 21 korrik 2021, në Shkup në mbyllje të punimeve të pjesës zyrtare të Forumit Ekonomik.
Rama, Zaev dhe Vuçiq në kuadër të forumit nënshkruan dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova nuk do të bëhet pjesë e nismës Ballkani i Hapur.
“Qeveria e Kosovës është Qeveri e një shteti sovran. Ne përfaqësojmë popullin e Kosovës pas zgjedhjeve që i kemi fituar masivisht, si asnjëherë më parë, dhe çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet, zhvillohet në përputhje me interesat tona. Ne nuk e konsiderojmë interes të Kosovës, me një Serbi që mohon krimet e luftës, dhe nuk e njeh pavarësinë, të bëhemi bashkë e të vendosim me shumicë votash aty”, pati deklaruar Kurti.