Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar reciprocitet pas vendimit që të mos lejohet mbajtja në Kosovë e referendumit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.
Qytetarët serbë të Kosovës po votojnë në referendumin e Serbisë në qytetet në Serbi si Kurshumli, Rashkë, Novi Pazar e Vranjë.
Në veri të Mitrovicës u tubuan sot rreth 100 qytetarë, ku bënë një manifestim, duke hedhur vota në një kuti votimi.
Aty ishte prezent edhe Rakiq.
Ai iu adresua mediave pas këtij manifestimi, që ka përfunduar pa ndonjë incident.
“Ne paralajmërojmë Prishtinën dhe komunitetin ndërkombëtar se vendimi për ndalimin e referendumit do të ketë pasoja të paparashikueshme që do të çojnë në vendosjen e reciprocitetit ndaj Prishtinës veri të Kosovës e M., në të gjitha fushat që Prishtina ua mohon serbëve”, ka thënë Rakiq, që është ministër i Komuniteteve dhe Kthimit në Qeverinë e Kosovës, raporton “Kossev”.
Ndërkohë ai ka thënë se është i bindur se do të lejohet votimi në Kosovë në zonat e banuara me shumicë serbe për zgjedhjet presidenciale në Serbi më 3 prill.
“Nëse Prishtina nuk e lejon më 3 prill mbajtjen e zgjedhjeve do ta shohë e dëgjojë se çfarë do të thotë reciprocitet. Ne presim dhe jemi të sigurt se do të mbahen zgjedhjet më 3 prill”, tha Rakiq.