Që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar, në varrezat e qytetit të Prizrenit mungon furnizimi me ujë, ku shumë qytetarë e përdorin atë për të mirëmbajtur varrezat e më të dashurëve të tyre. Në anën tjetër, shihet se ka mosmarrëvshje për këtë çështje mes institucioneve përkatëse.
Çështja e furnizimit të rregullt me ujë tek varrezat e Prizrenit, ka vite që po shqetëson qytetarët e këtij qyteti. Disa prej tyre të cilët kishin vajtur për të vizituar të dashurit e tyre që prehen në këto varreza, janë tejet të shqetësuar për mungesën e ujit në këtë vend të veçantë ku nderohen të vdekurit.
KRU “Hidroregjioni Jugor”, në prill të vitit 2024, pas kërkesës së shumicës së qytetarëve, riktheu furnizimin me ujë të pijshëm në varrezat e qytetit, duke kryer edhe sanimin e të gjitha instalimeve të nevojshme. Sipas u.d. kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Fadil Berisha, rikthimi i furnizimit me ujë u bë me shpresën se mund të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për këtë problem financiar.
Berisha foli tutje edhe për takimin e realizuar me KRMM “Ekoregjioni” dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike, duke theksuar se deri në dhjetor të vitit 2024, nuk është paguar asnjë faturë për ujin e konsumuar dhe tha ai, borxhi i akumuluar deri më tani ka arritur shumën prej 32.972 euro.
Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike në Prizren, Çelë Lamaj, theksoi se derisa të përfundojë procesi gjyqësor mes kompanive të “Ekoregjionit” dhe “Hidroregjionit Jugor”, borxhi i akumluar do të mbetet i papaguar, teksa shtoi se të gjitha obligimet financiare janë kompetencë e kësaj të fundit.
Sipas drejtorit Lamaj, komuna ka për detyrë të merret vetëm me rregullimin e infrastrukturës për furnizimin e rregullt me ujë të qytetarëve. E deri sa të gjendet ndodnjë zgjidhje mes organëve kompetente, qytetarët do të vijojnë që të sjellin ujë nga shtëpitë e tyre për mirëmbajtjen e varrezave të më të dashurëve të tyre.