Prokuroria Speciale e Kosovës, ka konfirmuar se deputeti i Kuvendit të Kosovës, Slavko Simiç, nuk është nën hetime dhe nuk është i identifikuar si i dyshuar për sulmin e 24 shtatorit 2023, në Banjskë të Zveçanit.
Po ashtu, Prokuroria ka konfirmuar se për sulmin në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, nuk është i dyshuar dhe as në hetim, as Millosh Peroviq, kandidati për kryetar të Komunës së Zubin Potokut.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast, po zhvillohen në mënyrë profesionale, të mbështetura në prova dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.
“Prokuroria Speciale rithekson përkushtimin e saj për të garantuar një proces të drejtë dhe të ligjshëm në çdo rast, duke shmangur çdo formë të keqinformimit apo supozimeve që nuk bazohen në fakte të verifikuara” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë, të përcjellur sot më 27.09.2025.
Rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, mbeti i vrarë më 24.09.2023, kur në Banjskë të Zveçanit, së bashku me disa policë të tjerë kishin intervenuar pas një informate se në një urë ishin vendosur barrikada.
Një mjet shperthyes, që dyshohet se ishte me telekomandë, i kishte shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Aty ishte plagosur edhe polici Alban Rashiti, teksa kishte pasur shkëmbim zjarri me një grup që sulmoi Policinë e Kosovës.
Pamjet e marra nga droni, të cilat u publikuan më 26.09.2023, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shfaqën një grup të terroristëve të armatosur e uniformuar, jashtë objektit të bujtinës së Manasatirit të Banjskës, të cilët mbanin maska e kapela ushtarake. Po ashtu, Policia e Kosovës kishte njoftuar se në njërën prej veturave të grupit terrorist, që është konfiskuar në Banjskë të Zveçanit, janë gjetur edhe dokumente të Millan Radoiçiqit.