Prokuroria Speciale përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë për spiunazh ndaj të pandehurit Aleksandër Vlajiq.
Ai gjithashtu akuzohet edhe për ‘mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“I pandehuri, A.V akuzohet se nga data e pacaktuar, e deri në momentin e arrestimit më dt. 26.06.24, në cilësinë e agjentit rezident, ka mbledhur dhe i ka dërguar Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë, informacione dhe dokumente të rëndësishme që cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës si dhe jetën e zyrtarëve shtetërorë dhe të qytetarëve të saj”, thuhet në njoftim.
Nga provat e siguruara, thuhet se ka rezultuar se i pandehuri Vlajiq kishte krijuar një rrjet të të punësuarve në organizatat ndërkombëtare në Kosovë të nacionalitetit serb, nga të cilët kishte pranuar informacione dhe raporte të punës së këtyre organizatave që thuhet se ndërlidheshin me aspektet politike dhe të sigurisë në Kosovë.
Gjithashtu thuhet se ai kishte mbledhur informacione, për persona të nacionalitet serb, me qëllimin që t’i paraqiste si bashkëpunëtorë të strukturave të sigurisë së Kosovës.
“I pandehuri, informacionet dhe dokumentet e siguruara, ja kishte përcjellë zyrtarit të lart të BIA-së, R.G, shef i njërës prej Qendrave të BIA-së në territorin e Serbisë, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike. Po ashtu, të akuzuarit, gjatë bastisjes së shtëpisë së tij nga ana e Policisë së Kosovës, i janë gjetur në posedim, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin në fuqi, një armë e modelit Crvena Zastava, dhe një spërkatës gaz lotsjellës, të cilat i janë sekuestruar në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Prokurori i rastit, thuhet se i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, që Vlajiqit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimit e shqyrtimit gjyqësor dhe ta shpallë fajtor për veprat penale për të cilat akuzohet, duke e obliguar që të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale.
Ai është i akuzuar edhe për sulmin në KKZ në veri.