Korporata Energjetike e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se gjatë ditëve të para të muajit korrik 2025, prodhimi nga KEK jo vetëm që ka përmbushur, por e ka tejkaluar kërkesën ditore të energjisë elektrike, me një mbulueshmëri që ka arritur deri në 117%.
“Njësitë tona prodhuese, ndonëse të stërvjetëruara dhe me sfida teknike të trashëguara, janë duke operuar me kapacitet të lartë, duke mundësuar mbulim të plotë të konsumit vendor dhe garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të besueshëm për qytetarët e Kosovës”, njofton KEK-u.
Për ilustrim: shihni grafikën më poshtë për detaje të mbulueshmërisë ditore gjatë këtij muaji.
Tutje, KEK-u në një sqarim të përgjithshëm për opinionin publik ka bërë të ditur se “në dritën e disa komenteve dhe interpretimeve publike, KEK Sh.A. rithekson përkushtimin e saj ndaj transparencës, zbatimit të ligjit dhe funksionimit normal të njësive energjetike”.
“Faktet flasin vetë:
- Prodhimi energjetik është i qëndrueshëm dhe tejkalon kërkesën.
- Njësitë, përfshirë A3, janë në funksion të rregullt dhe kontribuojnë ndjeshëm në sistem.
- Të gjitha procedurat e prokurimit zhvillohen sipas ligjit, nën mbikëqyrjen e institucioneve kompetente.
KEK mbetet e hapur për bashkëpunim me publikun dhe institucionet relevante, dhe fton që çdo komunikim të bazohet në fakte të verifikueshme, integritet dhe etikë profesionale”, shkruan në fund të njoftimit të KEK-ut.