Policia e Kosovës e ka cilësuar rastin e vdekjes së dy punëtorëve në Gjakovë si asgjësim, dëmtim ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, emergjenca e qytetit në Gjakovë ka lajmëruar se dy persona kanë marrë trajtim mjekësor pasi që dyshohet se kanë rënë nga një lartësi deri sa kanë qenë duke punuar në një punishte.
Dy punëtorët kanë vdekur më 21.07.2025, ndërsa janë arrestuar dy të dyshuar.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, prokurori kujdestar dhe inspektori i punës. Si pasojë e lëndimeve të dy viktimat kanë ndërruar jetë, vdekjen e të cilave e kanë konstatuar mjekët… Trupat e pa jetë janë dërguar në IML [Institutin e Mjekësisë Ligjore] për obduksion.” – njofton Policia, më 22.07.2025.
KALLXO.com ka raportuar nga vendi i ngjarjes tragjike që ndodhi në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit tragjik. Kryeprokurori, Enis Gashi konfirmoi se gjatë ditës u arrestua investitori dhe punëkryesi i objektit ku ndodhi rasti.
Në anën tjetër, nga Emergjenca në Gjakovë kanë konfirmuar për KALLXO.com se dy personat që vdiqën, ishin njëri 48 vjeç dhe tjetri 50 vjeç.
KALLXO.com ka provuar të marrë një deklaratë nga data 21.07.2025 edhe nga kompania që ka kryer punimet në objektin ku dyshohet se ranë dy punëtorët në Gjakovë, por ata nuk janë përgjigjur./Kallxo.com/