Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim reperin shqiptar Rigels Rajkun “Noizy” dhe po ashtu Bahtjar Bajraktarin.
Policia ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për të gjetur të kërkuarit, ndërsa ata po kërkohen për “lëndim të rëndë trupor”.
“Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligj për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar më autorizimin e Prokurorisë themelore nё Pejё, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tyre, lëshon: Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët. Personat e kërkuar janë: Rigels (Bashkim) RAJKU i lindur me 27.09.1986 nё Durrёs-Shqipёri dhe Bahtjar (Shasivar) BAJRAKTARI i lindur me 22.05.1992 nё Samadrexhё-Prizren. Tё pandehurit kërkohen për veprën penale: ‘ Lёndim i rёndё trupor’. Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personave të dyshuar në fotot e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor. Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës: 192 dhe 080019999 (pa pagesë) ; 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë; E-mail adresa: [email protected]”, është thënë nga Policia.
Noizy së bashku me pjesëtarë të grupit të tij po dyshohen se rrahën brutalisht dy persona në një diskotekë në Pejë.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, kishte konfirmuar se personat e përfshirë në rast janë duke u kërkuar.