Një operacion i madh është zhvilluar sot në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha tha për RTKlive se rezultatet do të bëhen të ditura më vonë, por konfirmoi operacionin e zhvilluar nga njësia FAST-ILECU “me mbështetje edhe të njësive speciale”.
“Ju konfirmoj se sot në orët e pasdites në Prishtinë, Policia e Kosovës, konkretisht njësia FAST-ILECU ka realizuar një operacion në mbështetje edhe të njësive speciale”, tha Hoxha.
FAST Albania kap dhe arreston në Prishtinë shtetasin A. L., në kuadër të operacionit “Gordonët”
Policia e Shqipërisë, njofton se në sajë të një pune të mirëfilltë profesionale, sot më datë 04.08.2024, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektori pêr Kërkimin, Njësia Fast Albania, në bashkëpunim të ngushtë me FAST Kosova, në vijim të shkëmbimeve të informacioneve, në kuadër të operacionit policor “GORDONËT”, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në Prishtinë, i shtetasit A. L., lindur e banues në Elbasan.
“Ndaj shtetasit A.L., Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë më datë 29.07.2024, ka caktuar masën e sigurimit, “Arrest me burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje, kryer në bashkëpunimin e veçantë në formën e organizatës kriminale”, “Grupi i strukturuar Kriminal”, “Organizata kriminale” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga nenet 80-28/1-333 dhe 334-287 të Kodit Penal”, njofton Policia e Shqipërisë./RTK/