Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka bërë të ditur se janë marrë masa të reja për të adresuar shtrembërimet në tregun e qumështit, përfshirë edhe pezullimin e përkohshëm të përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në procesin e prodhimit.
Sipas tij, vendimi vjen pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve lidhur me akcizën mbi qumështin pluhur, ndërsa në ditët në vijim pritet të publikohen edhe dy vendime të tjera të rëndësishme për sektorin.
Muja theksoi se qëllimi i masave është krijimi i një sistemi të ndarë prodhimi, duke ndaluar përzierjen e përbërësve me origjinë të ndryshme kimike në të njëjtin proces prodhimi.
Ai shtoi se institucionet e përpunimit të qumështit do të duhet të pajisen me licenca të reja të posaçme për përpunimin e produkteve të ndryshme, pasi licencat aktuale nuk do të jenë më të mjaftueshme.
“Praktikisht pezullohet përdorimi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur deri në rregullimin e sistemit”, u shpreh Muja, duke theksuar se synimi është rregullimi i tregut dhe mbrojtja e prodhimit vendor.