Kryetar i Bashkësisë Lokale të fshtarave Vlashnje, Kobaj dhe Muradem, Petrit Hoxhaj, në një reagim kundër komunës së Prizrenit, ka kërkuar të respektohen institucionet e Bashkësive Lokale në përurimet e investimeve që kanë të bëjnë me komunitetin e fshatrave.
Hoxhaj ka theksuar se si kryetar i Bashkësisë Lokale, nuk është ftuar në përurimin e fushës së futbollit të shkollës në fshatin Kobaj. Ai e ka quajtur këtë veprim të papranueshëm dhe një mungesë respekti ndaj banorëve të fshatit Kobaj.
“Është e pafalshme dhe e papranueshme mënyra se si Komuna e Prizrenit po e trajton institucionin që vet e ka themeluar – Kryetarin e Bashkësisë Lokale Vlashnje–Kobaj–Muradem. Në përurimin e fushës së futbollit të shkollës në fshatin Kobaj, nuk u ftua përfaqësuesi zyrtar i këtyre tre fshatrave. Ky veprim është një mosrespekt i hapur ndaj banorëve të Kobajt. Si mund të organizohet një përurim për nxënësit dhe komunitetin e fshatit, pa qenë të pranishëm përfaqësuesit e tyre ligjorë? Kjo nuk është thjesht një lëshim formal, por një nënçmim i zërit dhe vlerës së banorëve të tre fshatrave”, ka shkruar Hoxhaj në reagimin e tij në Facebook.
Ai ka shtuar se “përurimet duhet të jenë momente bashkimi e mirënjohjeje dhe jo skena marketingu politik”.
“Bashkësia Lokale nuk është dekor për protokollet e komunës por është institucion i ligjshëm, i zgjedhur për të qenë ura mes qytetarëve dhe pushtetit lokal. Injorimi i Kryetarit të Bashkësisë Lokale do të thotë injorim i qytetarëve të Vlashnjës, Kobajt dhe Murademit. Ne nuk kërkojmë favore, por respekt institucional. Përurimet duhet të jenë momente bashkimi e mirënjohjeje, jo skena marketingu politik. Mandati im si Kryetar i Bashkësisë Lokale zgjat deri në vitin 2028, dhe si i tillë pres reflektim dhe respektim të institucionit që Komuna vet e ka themeluar”, shtoi Hoxhaj.