Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ushtruesin e detyrës së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj, prefektin e Qarkut Kukës, Dritan Baji, kryetarin e Bashkisë Has, Miftar Dauti, deputetë të dy kuvendeve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, përuruan sot rrugën ndërkufitare Gorozhup (Has të Prizrenit)-Pogaj, projekt ky në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Me këtë rast, Kurti tha se përurimi i kësaj rruge është tejet i rëndësishëm për banorët e kësaj zone, por edhe për turizmin malor e kulturor, të dy republikave tona të të njëjtit komb, si një arterie vendimtare për qarkullimin e lirë, për shkëmbimet të cilat do të jenë gjithnjë e më të mëdha.
“Kjo është një pjesë e vogël e borxhit të madh që kemi ndaj këtij komuniteti, që i ka dhënë shumë edhe zhvillimit ekonomik edhe historisë sonë kombëtare”, tha Kurti, duke shtuar se pas përfundimit të rrugës Kërstec-Pakishtë-Zapot, e cila ishte me vlerë prej 2.6 milionë euro, kjo rrugë që inauguruam sot, Gorozhup-Pogaj është në vlerë prej afër 1 milion euro dhe me gjatësi prej 3.7 kilometra.
Rruga e përuruar sot i lidhë fshatrat, Gorozhup edhe Pogaj, që historikisht kanë qenë një dhe të cilat i bashkojnë familja, tradita dhe jeta e përditshme. Kryeministri në detyrë theksoi se lidhja jonë me Shqipërinë, përveç se historike e shpirtërore, duhet të jetë edhe fizike, e pikërisht sipas tij, kjo rrugë që e inaugurojmë sot është një dëshmi për hapat konkretë në drejtimin e duhur.
Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, u shpreh se para dy vitesh është nënshkruar protokolli i marrëveshjeve për tri rrugë, rrugën Kërstec-Pakishtë-Zapot, e një rëndësie të veçantë, këtë rrugë të cilën po e përurojmë sot që i ka ndarë padrejtësisht banorët prej shumë e shumë kohësh, dhe rrugën Dobrunë-Blinishtë, e cila ka qenë pjesë e kësaj marrëveshje, theksoi Durmishi.
Ai shtoi se Qeveria e Kosovës është e interesuar që të vazhdojë bashkëpunimin me Republikën e Shqipërisë edhe për shumë projekte të tjera, të cilat janë shumë të rëndësishme në këtë zonë. Me këtë rast, ai përmendi se një prej projekteve më të rëndësishme është vazhdimi i kësaj rruge prej Pogaj në Kishaj, pastaj Kishaj-Cahan, dhe nga Cahani në Krumë. Ai foli edhe për projekte të tjera, për të cilat tha se do t’i bëjnë bashkë dy qeveritë, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë.
Ndërkaq, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, tha se në këtë ditë solemne duke inauguruar këtë rrugë, ne hapim një kapitull të ri në dobi të kombit tonë. Ai theksoi se rruga Gorozhup-Pogaj është më shumë sesa asfalt apo gurë, është një urë që lidh dy fshatra, dy treva, dy anë të një kombi, dhe se ky investim është testament i lidhjes sonë historike dhe shpirtërore, lidhje që ka mbijetuar në shekuj.
Kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, falënderoi kryeministrin Kurti për punën e bërë, duke thënë se sot Hasi ka plotësuar ëndrrën disavjeçare, bashkimin e trojeve hasjane. Ai tha se bashkërisht duhet të kontribuojmë që të bashkojmë çdo arterie që bashkohet Hasi me Hasin dhe Kosova me Shqipërinë, sepse vetëm në këtë mënyrën hiqen barrierat e vëna vite më parë.