Një përleshje fizike në mes disa personave ka ndodhur dje rreth orës 18:45 në një qendër tregtare në Prizren.
Avokati Arianit Koci, ka publikuar pamjet e momentit të kësaj përleshje, ku sipas tij është sulmuar një familje rome nga ana e sigurimit të kësaj qendre.
Koci në një postim në Facebook, ka shkruar se “Prindërit dhe vajza 11 vjeqare kanë pasur maskën, kurse djali i tyre jo. Gjithnjë sipas deputetit, sigurimi e sulmon njërin prej familjarëve fizikisht, në prani të familjes- për shkak të mos bartjes së maskës, duke e sharë: “Ta q… magjupin e nanës”. Sulmuesi ka vazhduar me rrahje dhe kërcënime serioze”.
Ndryshe Policia e Kosovës, mbrëmë ka njoftuar se lidhur me rastin ka shoqëruar në stacionin policor katër persona.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi deklaroi se deri te rrahja sipas informacioneve të para thuhet se ka ardhur për shkak të mosrespektimit të masave anti-COVID që janë në fuqi.
“Njësiti i Policisë i janë përgjigjur këtij rasti dhe në stacionin policor janë shoqëruar katër persona të përfshirë në përleshje. Hetuesit në koordinim me Prokurorin e shtetit janë duke u marrë me rastin.
Të dyshuarit do të ndalohen deri në 6 orë derisa të kryhen procedurat. Deri te kjo përleshje kanë ardhur pasi personat nuk i janë bindur sigurimit për vendosjen e maskave”, deklaroi Gashi. /Telegrafi/