Ministria e Ekonomisë është duke përgatitur një dosje me raportimet e qytetarëve mbi dyshimet e tyre për vërtetësinë e problemeve teknike për reduktimet e zgjatura të rrymës, dhe ato do t’ia dorëzojë Policisë së Kosovës për hetim.
Kështu ka bërë të ditur të shtunën, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka thënë se ky veprim është ndërmarrë pasi shumë qytetarë kanë shprehur dyshimet e tyre në këtë drejtim, dhe madje kanë paraqitur edhe fakte.
“Duke pasur parasysh që shumë qytetarë kanë shprehur dyshimet e tyre mbi vërtetësinë e problemeve teknike për reduktimet e zgjatura, Ministria e Ekonomisë është duke përgatitur një dosje me të gjitha raportimet për t’i dërguar në Policinë e Kosovës për të hetuar rastin. Ndër të tjera, në këtë dosje janë të përfshira edhe disa foto të cilat janë dërguar nga qytetarë ku vërehet heqja e disa siguresa nga trafot e rrymës, si dhe dyshimet nga ana e qytetarëve në lidhje me heqjen e qëllimshme të një faze në disa vende duke e zvogëluar ngarkesën e rrjedhimisht duke e bërë ngrohjen në disa vende jo funksionale. Nga Inspektorati i Energjisë kam kërkuar të kenë vigjilencë dhe angazhim të shtuar për të monitoruar situatën”, ka shkruar Rizvanolli në llogarinë e saj në Facebook.
Ajo po ashtu ka thënë se po marrin mijëra raportime nga qytetarët për reduktime të energjisë elektrike të cilat kanë zgjatur më shumë se dy orë, orar ky i udhëzuar nga KOSTT-i.
Sipas saj, plani i reduktimeve parasheh 8 orë furnizim me energji elektrike dhe 2 orë pa furnizim dhe se kjo duhet të implementohet në mënyrë të barabartë.
“Gjatë ditëve të fundit kemi pranuar disa ankesa që reduktimet e energjisë elektrike në disa zona kanë zgjatur deri në 20 orë. Për këtë arsye, dje i kam ftuar në takim urgjent përfaqësuesit e të gjitha institucioneve relevante: KEDS, KESCO, KOSTT dhe ZRRE. Gjatë takimit kam kërkuar nga ta informatat dhe arsyet për reduktimet jashtë orarit të paralajmëruar, si dhe kam kërkuar nga KEDS që (me ndihmën e KOSTT) të sigurohen që orari të respektohet me përpikëri gjatë reduktimeve. Për më shumë, kam kërkuar që KEDS të ndalë devijimet, përderisa Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë mjete për subvencionimin e importit të energjisë elektrike”, ka shkruar ministrja.
Ajo ka inkurajuar qytetarët që të vazhdojnë t’i raportojnë rastet e dyshimta në adresën [email protected].