Pas gati 14 vitesh me institucione të formuara, shteti i Kosovës ende përdor internetin me adresa IP të Serbisë.
Për bizneset e Kosovës një situatë e tillë është shqetësuese, pasi ndërhyrjet në treg dhe dëmtimi që i është bërë nga konkurrenca ka sjellë mjaft pasoja.
“Ky shqetësim ka ardhur nga biznesi, sektori i mediave, të cilat janë ankuar, sepse me përdorimin e IP adresave të Serbisë, reklamat që dalin në portale dhe në ueb faqe dalin sipas gjuhës nga vijnë IP. Nga IP-të e Serbisë gjuha nuk del në gjuhën shqipe, por në gjuhën serbe. Kjo pastaj po i dëmton bizneset, por edhe vendin, sepse po na identifikon me një shtet tjetër, e realisht po e dëmton edhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”, thekson kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi.
Deputeti nga AAK, që është edhe anëtar i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Pal Lekaj, duke kërkuar me urgjencë adresimin e IP-ve, ka thënë për KosovaPress se përdorimi i tyre nga Serbia rrezikon sigurinë dhe privatësinë e qytetarëve në Kosovë.
Në lidhje me këtë shqetësim, Oda e Afarizmit i ka dërguar shkresë kryeministrit Kurti, si dhe ka zhvilluar disa takime me ministren e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, por deri më tani nuk ka veprime konkrete. Dëmi shtetëror dhe ekonomik po vazhdon