Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se pas kontrolleve të vazhdueshme është konfirmuar prania e sëmundjes PPR (Murtaja e Ruminantëve të Vegjël) në fshatin Landovicë, Komuna e Prizrenit.
Në njoftim për media pas hulumtimeve diagnostike në terren dhe zbatimit të masave për kontrollin e sëmundjes, Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar një rast me PPR në një fermë dele në këtë fshat.
“Kjo sëmundje nuk është zoonotike, që do të thotë se nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve dhe nuk transmetohet nga kafsha tek njeriu. Megjithatë, ajo shkakton dëme të mëdha në shëndetin e kafshëve, rrit ngordhshmërinë dhe ka ndikim të rëndë në ekonominë blegtorale”, thuhet në njoftim.
Tutje, AUV njofton se për masat që ka ndërmarrë si: kontrolli dhe mbikëqyrja e vazhdueshme në zonën e prekur, asgjësimi i kafshëve të prekura, kufizimi i lëvizjes së kafshëve në zonat tjera, si dhe njoftimi dhe bashkëpunimi me fermerët lokalë.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) bën thirrje për fermerët dhe qytetarët që të kenë bashkëpunim të ngushtë me shërbimet veterinare.
“Në momentin që identifikohen shenja klinike si temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda dhe sytë, diarre, pneumoni apo kollitje e vazhdueshme, duhet të raportojnë menjëherë te organet kompetente. Respektoni masat dhe udhëzimet e inspektorëve dhe veterinerëve zyrtarë. Mos blini kafshë nga ferma të tjera pa e ditur statusin shëndetësor të tyre”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/