Dy vajzat e Fekir Ilazit nga fshati Debëllde i Vitisë i ndjekin mësimet në fshatin Kabash, rreth 10 kilometra larg shtëpisë së tyre.
Babai i Medinës dhe Lumturies thotë se në fshatin e tyre nuk ka pasur mësim cilësor.
“Vajza e madhe e ka kryer klasën e tretë dhe e vogla të dytën në Debëllde – tash janë në të tretën dhe të katërtën në Kabash. I kam larguar nga shkolla në Debëllde, nuk ka pasur as mësim, as asgjë. Një orë e plotë mësimi nuk është mbajtur. Më shumë ka pasur mësues sesa nxënës. Tash në Debëllde, vëllai im i ka tre fëmijë në shkollë dhe një fqinj i imi dy”, tregon Ilazi për Radion Evropa e Lirë.
Ai çdo ditë i çon dhe i kthen vajzat e tij nga shkolla.
Fshati Debëllde është afër kufirit me Maqedoninë e Veriut dhe ka rreth 120 banorë.
Kryetari i këtij fshati, Fazli Neziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se më mirë do të ishte të mbyllej shkolla, sesa të zhvillohet “mësim jocilësor”.
“Është vështirë të them të mbyllet një shkollë, por unë mendoj se nuk ka cilësi me kaq pak nxënës. Mendoj se më mirë do të ishte të barten nxënësit në një shkollë tjetër”, thotë Neziri.
Shkolla në Debëllde është paralele e Shkollës Fillore “Ndre Mjeda” në Kabash, ku ndjekin mësimet edhe Medina e Lumturia.
Drejtori i saj, Musa Murati, thotë për Radion Evropa e Lirë se është menduar të bëhet bartja e të gjithë nxënësve nga fshati Debëllde në Kabash, por, sipas tij, deri më tash kjo nuk ka ndodhur.
“Gjashtë nxënës janë për momentin [në fshatin Debëllde]. Funksionon klasa e parë, klasa e pestë dhe klasa e nëntë. Veç e veç janë, nuk janë të kombinuara. Numri i nxënësve është i vogël. Aty i kemi katër mësimdhënës për gjashtë nxënës”, thotë Murati.
Në shkollat e Komunës së Vitisë, 68 klasa kanë një deri në 9 nxënës, kurse në 155 klasa tjera numri i nxënësve sillet nga 10 deri në 19.
Rënia e natalitetit dhe emigrimi zvogëluan numrin e nxënësve
Në një raport të publikuar në maj të këtij viti nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, thuhet se në disa komuna të Kosovës ka rënie të numrit të nxënësve deri në 40 për qind. Sipas këtij raporti, në 19 komuna në Kosovë janë 340 klasa që kanë më pak se 5 nxënës.
Agron Demi, nga ky institut, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kamenica, Vitia, Rahoveci, Dragashi dhe Deçani kanë rënien më të madhe të numrit të nxënësve.
Sipas tij, kjo rënie ka ndodhur si pasojë e rënies së natalitetit dhe emigracionit.
“Nga viti 2008-09 deri vitin e kaluar kanë qenë rreth 114 mijë nxënës më pak, por Ministria e Arsimit dhe shumica e komunave – me përjashtim të Kamenicës dhe Drenasit – nuk kanë ndërmarrë asgjë. Shqetësuese është se me rënien e numrit të nxënësve, ne kemi vërejtur se ka rritje të personelit arsimor”, thotë Demi