Qeveria e Kosovës ka miratuar javën e kaluar masat anti-Covid, të cilat do të hyjnë në fuqi nga sot.
Të dielën, Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, kanë mbajtur një konferencë për media në lidhje me gjendjen me pandeminë.
Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi prezantoi masat e reja Anti-COVID, derisa tha se qytetarët duhet të jenë të vaksinuar për të përdorur transportin publik e privat, të hyjnë në qendra tregtare e restorante.
Latifi u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19, derisa bëri të ditur se edhe gjatë vikendit do të mund të vaksinohen qytetarët.
Masat anti-Covid që hyjnë në fuqi nga sot:
Të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit të plotë. Kur personi është i vaksinuar vetëm me një dozë, krahas saj do të kërkohet testi RT-PCR negativ ose dëshmia se personi ka kaluar COVID-19.
Nga 3 janari 2022 për hyrje në Republikën e Kosovës do të vlejë vetëm dëshmia e vaksinimit të plotë. Për të inkurajuar vaksinimin dhe për të lehtësuar qasjen në vaksinim, në Aeroportin e Prishtinës dhe në pikat kryesore kufitare tokësore do të vendosen ekipet mobile të vaksinimit.