Pellgu i Drinit të Bardhë është ndër pasuritë më të rëndësishme ujore të Kosovës. Ai furnizon me ujë të pijshëm pjesën më të madhe të vendit, siguron ujitje për bujqësinë, është burim energjie dhe ofron habitat për larmi të gjallë të florës dhe faunës. Përveç vlerës së tij natyrore, Drini i Bardhë ka rëndësi kulturore dhe historike, duke qenë i lidhur ngushtë me jetën e përditshme të komuniteteve përgjatë rrjedhës së tij.
Por pasuria e madhe ujore aktualisht përballet me një sërë sfidash serioze, të cilat, nëse nuk adresohen me kohë, rrezikojnë që në dekadat e ardhshme të përbëjnë krizë kombëtare të ujit. Plani i Menaxhimit të Pellgut Lumor Drini i Bardhë (linku: https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=107566) hedh dritë mbi këto probleme dhe sugjeron rrugëdalje të mundshme.
Sfidat në menaxhimin e ujërave janë të konsiderueshme. Ndotja nga ujërat e zeza dhe mbetjet industriale është ndër problemet më të theksuara. Mungesa e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza ka bërë që shumica e vendbanimeve përgjatë Drinit të Bardhë t’i shkarkojnë drejtpërdrejt mbetjet në lum. Industrisë i mungojnë filtrat dhe mekanizmat kontrollues, duke e rënduar edhe më shumë situatën.
Shfrytëzimi i pakontrolluar i burimeve ujore po ashtu është sfidë. Ujësjellësit, bujqësia dhe industria e shfrytëzojnë lumin në nivele të larta, shpesh pa licencim dhe pa monitorim. Ky presion, rrezikon balancën ekologjike dhe rrit konfliktet mes komuniteteve për qasje të barabartë në ujë.
Degradimi i mjedisit, si prerjet ilegale të pyjeve, shfrytëzimi i zhavorrit nga shtrati i lumit dhe ndërtimet pa leje në zonat mbrojtëse janë duke e ndryshuar strukturën natyrore të pellgut. Ky proces jo vetëm që dëmton peizazhin, por përkeqëson edhe cilësinë e ujit dhe rrit rrezikun e përmbytjeve.
Krahas kësaj, pothuajse çdo vit, dhjetëra familje përgjatë Drinit të Bardhë përballen me dëme nga përmbytjet. Mungesa e infrastrukturës së mbrojtjes, digave dhe sistemeve të paralajmërimit të hershëm e lë popullsinë të pambrojtur.
Gjithashtu rritja e temperaturave dhe ndryshimet në ciklin e reshjeve pritet të ndikojnë direkt në rrjedhën e ujit, duke e bërë më të paparashikueshme furnizimin e qëndrueshëm. Ky fenomen i shton edhe më shumë presion sistemit tashmë të brishtë të menaxhimit të burimeve ujore.
Banorët që jetojnë përgjatë Drinit të Bardhë janë të parët që e ndiejnë këtë krizë. Bujqësia përballet me mungesë uji për vaditje, duke ulur prodhimin dhe të ardhurat. Familjet rrezikohen nga ndotja e ujit të pijshëm, e cila bart pasoja për shëndetin publik. Komunitetet përballen me dëme materiale nga përmbytjet, ndërsa mjedisi i shkatërruar ndikon në turizëm dhe trashëgimi kulturore.
Prandaj, Plani i Menaxhimit të Pellgut Lumor Drini i Bardhë përmend masat e menaxhimit që duhet të zbatohen në mënyrë që të arrihet një status i mirë ekologjik i të gjitha ujërave.
Ndërtimi i impianteve moderne të trajtimit të ujërave të zeza është prioritet urgjent, për të ndalur ndotjen e Drinit të Bardhë. Po ashtu, institucionet duhet të forcojnë monitorimin e licencave për shfrytëzimin e ujit, duke vendosur tarifa të drejta dhe duke marrë veprime për të parandaluar abuzimet.
Mbrojtja e habitateve natyrore është po aq e rëndësishme. Pyllëzimi i zonave të degraduara, ndalimi i prerjeve ilegale dhe kufizimi i nxjerrjes së zhavorrit janë masa të domosdoshme për rikthimin e balancës ekologjike.
Nevojiten edhe sistemet e hershme paralajmëruese për përmbytjet. Vendosja e teknologjive moderne për matjen e prurjeve të ujit dhe paralajmërimin e komuniteteve në kohë reale do të shpëtonte jetë dhe pasuri. Gjithashtu fushatat e ndërgjegjësimit për qytetarët dhe përfshirja e shkollave në edukimin mbi ruajtjen e ujit janë thelbësore për ndryshimin e sjelljes në aspektin afatgjatë.
Meqë Drini i Bardhë nuk ndalet në kufijtë e Kosovës, menaxhimi i tij kërkon bashkëpunim me Shqipërinë dhe Malin e Zi për një qasje të integruar dhe afatgjatë.
Drini i Bardhë është pasuri kombëtare dhe rajonale, që ndodhet nën presion të madh. Ndotja, shfrytëzimi i pakontrolluar, degradimi i mjedisit dhe rreziqet nga ndryshimet klimatike po e vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij. Zbatimi i masave të propozuara në Planin e Menaxhimit nuk janë thjesht rekomandime, por domosdoshmëri për të garantuar që gjeneratat e ardhshme të kenë qasje në ujë të pastër, natyrë të shëndetshme, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe integrim evropian”, shkruan OJQ “EC Ma Ndryshe”./EcMaNdryshe/