Një kontingjent i ushtarëve të FSK-së prej 152 pjesëtarëve të mërkurën janë nisur në ShBA.
Ata do të marrin pjesë në trajnimin në kuadër të programit Joint Readiness Training Center.
Lajmin e ka bërë të ditur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila i ka përshendetur ushtarët para nisjes.
“Sot në mëngjes, me të arritur nga SHBA, i urova rrugë të mbarë e suksese kontigjentit prej 152 ushtarëve të FSK-së që po udhëtonin për SHBA për programin e trajnimit JRTC (Joint Readiness Training Center)”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Joint Readiness Training Center (JRTC) është një program dhe qendër trajnimi ushtarak e SHBA-së, ku njësitë ushtarake ushtrohen në skenarë të realistikë për të përgatitur trupat për misione të ndryshme luftarake dhe operacione të përbashkëta. Qëllimi i tij është të përmirësojë gatishmërinë, bashkëpunimin dhe aftësitë taktike të forcave ushtarake para se ato të dërgohen në fushën e betejës. JRTC ndodhet në Fort Polk, Louisiana.
Në thelb, është një vend ku ushtarët stërviten në situata të rënda dhe komplekse për të qenë më të përgatitur në luftë dhe operacione të ndryshme.