Duke filluar nga dita e sotme (më 26 qershor), do të hapet afati për subjektet politike për të aplikuar për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit dhe për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve garues.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar për RTKLive se kjo periudhë do të zgjasë 49 ditë.
Sipas KQZ-së, aplikimi do të mundësohet online për subjektet politike dhe mbetet në vullnetin e tyre të përcaktohen për llojin e zgjedhjeve që duan të marrin pjesë.
“Është krejtësisht në vullnetin e subjekteve politike që të përcaktohen se në cilat komuna duan të garojnë. Po ashtu, është në vullnetin e subjekteve politike që të zgjedhin nëse në një komunë të caktuar do të garojnë vetëm në zgjedhje për Kryetar Komune ose për Kuvend Komunal apo për të dyja së bashku”, tha Elezi për RTK.