Në nivelin më të lartë ndonjëherë kanë arritur tensionet në kufirin mes Rusisë e Ukrainës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar se Rusia është në prag të pushtimit të shtetit ukrainas, ndërsa sot pritet edhe biseda më e rëndësishme deri tash mes presidentit amerikan, Joe Biden, dhe atij rus, Vladimir Putin.
Shtetet perëndimore kanë bërë thirrje që shtetasit e tyre të largohen nga Ukraina, ndërsa kanë bërë thirrje për shtensionim.
Por në prag të një lufte të mundshme, cili është dallimi mes ushtrive të të dyja vendeve?
Rusia është larg më e fortë në çdo segment.
Poshtë gjeni krahasimin ushtarak të të dyja shteteve, siç u raportua edhe në dhjetor kur tensionet kishin nisur.
Buxheti e këmbësoria
Rusia ka buxhet ushtarak vjetor 66.3 miliardë dollarë, kurse Ukraina 3 miliardë. Rusia ka 771 mijë ushtarë aktivë e 2 milionë rezervistë, ndërkohë Ukraina 200 mijë ushtarë aktivë e 1 milion rezervistë.
Forcat tokësore
Nga forcat tokësore, Rusia ka 20.050 tanke, 27.335 mjete të blinduara luftarake dhe 14.557 pajisje të ndryshme të artilerisë. Ukraina ka 2.045 tanke, 6.127 mjete të blinduara luftarake e 3.973 pajisje të artilerisë.
Forcat ajrore
Nga forcat ajrore, Rusia ka 4.441 mjete fluturuese. Këtu përfshihen 751 avionët luftarakë, 526 avionët shumëfunksional dhe 1.505 helikopterët. Ukraina ka 425 fluturake, prej tyre vetëm 39 avionë luftarakë, asnjë avion shumëfunksional dhe 243 helikopterë.
Forcat detare
Rol të rëndësishëm në luftë luan edhe marina. Rusia ka 314 anije. Prej tyre, një aeroplanmbajtëse, 18 anije shkatërruese të akulli, 10 fregata, 83 korveta dhe 59 nëndetëse. Ukraina ndërkohë ka vetëm 40 anije, e prej tyre vetëm një fregatë e një korvetë.
Armët nukleare
Rusia është vendi i dytë më i rëndësishëm në botë kur bëhet fjalë për kërkimin, posedimin dhe ruajtjen e armëve bërthamore, shkruan portali “Forcat e Armatosura”.
Edhe pse iu bashkuan vonë zhvillimit, rusët patën testin e tyre të parë bërthamor në vitin 1949, kur ishin në kuadër të BRSS-së. Edhe atëherë, ata befasuan Perëndimin, i cili besonte se sovjetikët nuk do të kishin armë bërthamore të paktën deri në vitin 1953 ose 1954. Pas provës së parë, BRSS-ja filloi të rrisë me shpejtësi numrin e kokave bërthamore që zotëronte. Nga fundi i viteve 1980, BRSS-ja ishte fuqia kryesore sa i përket numrit të armëve bërthamore të ruajtura – afërsisht 40.000.
Edhe pse Ukraina nuk ka prodhuar kurrë armë të saj bërthamore, duhet pasur parasysh se disa dekada më parë kishte afër 5000 të tilla. Gjegjësisht, ky shtet ishte pjesë e BRSS-së deri në vitin 1991 dhe me shpërbërjen e tij, secili shtet mori një numër të caktuar të kokave bërthamore të Bashkimit Sovjetik. Kështu, në vitin 1991 Ukraina u bë vendi i tretë në botë për sa i përket numrit të kokave bërthamore.
Sidoqoftë, ukrainasit vendosën shpejt t’i heqin qafe armët e tilla. Tre vjet më vonë (1994), ata u bashkuan me Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) dhe në vitin 1996, të gjitha kokat e luftës u transferuan në Rusi dhe u çmontuan atje.