Mbrëmë në „Loyola – Gymnasium“ në Prizren, para prindërve, nxënësve dhe mysafirëve të tjerë u bë prezantimi i kompanive gjermane në kuadër të AusbildungInitiative (Iniciativës së shkollimit profesional). Mbrëmjen e hapi drejtori ekzekutiv i ALG “Loyola-Gymnasium”, z. Elias Koller, i cili theksoi se iniciativa e shkollimit profesional konsiston në bashkëpunimin e kompanive nga Gjermania, të cilat janë veçanërisht të interesuara për talentët e rinj nga Kosova dhe u japin atyre mundësinë që të marrin trajnime praktike në profesione të ndryshme në sistemin gjerman të formimit të dyfishtë profesional. Iniciativa e trajnimit e ALG është e veçantë në Kosovë dhe ne jemi krenarë çdo vit që disa talentë të rinj arrijnë të marrin trajnime praktike në Gjermani. Baza e këtij suksesi tashmë është vënë që në shkollën fillore dhe në gjimnazin në ALG. Kështu, iniciativa e trajnimit demonstron vetëm një pjesë të punës sonë të suksesshme arsimore në dhe për Kosovën, tha në fjalën e tij z. Koller, drejtor ekzekutiv i ALG “Loyola-Gymnasium”.
Të pranishëm në këtë prezantim ishin përfaqësuesit e kompanive gjermane, të cilat tashmë kanë disa gjenerata të rinjsh kosovarë nga “Loyola-Gymnasium” të cilët gjithashtu studiojnë atje. Gjatë këtij takimi, prindërit e pranishëm mund të bënin pyetje dhe u informuan për hapat që pasojnë, pasi talentët e rinj t’i kalojnë me sukses intervistat e tyre dhe të marrin një kontratë pune në një kompani gjermane.
Që prej ekzistimit të Ausbildung Initiative (Iniciativës së shkollimit profesional), më shumë se 140 të rinj kosovarë tashmë kanë ndërmarrë me sukses hapin e madh dhe disa prej tyre janë në pozita drejtuese dhe studime të mëtejshme bachelor dhe master. Për ata që përfitojnë nga rasti dhe që njohja e gjermanishtes është mbi mesataren, ofrohet një përvojë jete. Fillimi i një arsimimi në Gjermani kërkon gjithashtu një pavarësi të madhe, autonomi dhe këmbëngulje. Në Gjermani, të rinjtë kosovarë shoqërohen nga afër për t’u lehtësuar hyrjen në fazën e re të jetës së tyre.