Ministria e Shëndetësisë në Kosovë teksa ka bërë thirrje për vaksinim kundër COVID-19, ka thënë se situata epidemiologjike në vend mbetet e pasigurt pavarësisht se trendi i rasteve të reja vazhdon të jetë i ulët.
Në 7 ditët e fundit mesatarja është prej 15.42 rastesh në ditë. E njëjtë me javën e shkuar, sipas MSH-së.
“Vaksinimi është mënyra më e mirë për të ndihmuar në parandalimin e COVID-19, veçanërisht formave të rënda të sëmundjes dhe vdekjes. TË GJITHË duhet të vazhdojmë të zbatojmë masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë!” ka bërë thirrje MSH-ja, pas rënies së interesimit për vaksinim javëve të fundit.
Deri tash në Kosovë 723 mijë qytetarë janë vaksinuar me të dyja dozat, ndërsa 118 mijë janë në pritje të dozës së dytë. Numri total i dozave të administruara është 1.56 milionë.