Qeveria e Republikës së Kosovës, në formë elektronike, sot ka mbajtur mbledhjen e 48-të të saj, në të cilën janë miratuar tri vendime.
Vendimi për reduktimin e fondeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe rritjen e fondeve nga granti qeveritar në kuadër të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, është vendimi i parë që ka marrë miratimin në këtë mbledhje.
Siç thuhet në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit sipas vendimit mjetet në vlerë prej 18 milionë euro, reduktohen në zero për shkak të mospranimit të fondeve të planifikuara nga burimi i financimit. Këto mjete kalojnë në nën-programin “Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike”.
“Është miratuar edhe vendimi për ndarje dhe kursime buxhetore në kategoritë e shpenzimeve të organizatave buxhetore. Shuma totale e mjeteve të kursimeve buxhetore është 36 milionë e 505 mijë e 34 euro. Mjetet e kursyera do të shpërndahen te organizatat buxhetore sipas nevojave dhe kërkesave për mbulimin e shpenzimeve të ndryshme të propozuara”.
Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe vendimi për t’i rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve që të nënshkruajë Marrëveshjen e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe KfW për projektin “Zhvillimi i Sektorit të Energjisë VII – Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”. Marrëveshja siguron kredinë në vlerën prej 25 milionë e 500 mijë euro.