Në Prokurorinë Themelore në Prizren është mbajtur takimi i përbashkët i Mekanizmit Koordinues për Trafikim me Qenie Njerëzore dhe Mekanizmit për Vepra Penale të Dhunimit, me pjesëmarrjen e akterëve kryesorë që merren me trajtimin e rasteve dhe veprave të kësaj natyre brenda kompetencës së kësaj prokurorie.
Sipas një komunikatë për media të Prokurorisë, në takim ishin të pranishëm Ervehe Gashi, prokurore dhe koordinatore për veprat penale të trafikimit me qenie njerëzore, Sahide Sefa, prokurore dhe koordinatore për veprat penale të dhunimit, përfaqësues nga Policia që merren me trajtimin e këtyre rasteve, Qendra për Punë Sociale, Zyra për Mbrojtjen e Viktimave, si dhe përfaqësues nga organizatat joqeveritare të angazhuara në këtë fushë.
Gjatë takimit u bë vlerësimi i punës së realizuar gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2025, duke u fokusuar në rezultatet e arritura, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe sfidat kryesore që hasen në trajtimin dhe ndjekjen penale të këtyre rasteve.
Po ashtu, u diskutuan strategjitë dhe masat konkrete për përmirësimin e hetimeve, mbështetjen e viktimave dhe forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve ligjzbatuese. Palët konfirmuan angazhimin e tyre për një bashkëpunim efektiv dhe të vazhdueshëm në trajtimin dhe ndjekjen penale të rasteve të trafikimit me qenie njerëzore dhe dhunimit.
Një nga çështjet e rëndësishme që u diskutua ishte edhe fenomeni i lëmoshëkërkuesve, i cili lidhet ngushtë me trafikimin me qenie njerëzore dhe kërkon vëmendje të veçantë në trajtimin dhe parandalimin e tij. Palët diskutuan për nevojën e forcimit të bashkëpunimit dhe përmirësimit të koordinimit në mënyrë që të garantohen masa më efikase në mbrojtjen e viktimave dhe ndjekjen e drejtë të përgjegjësve.
Takimi u konsiderua produktiv nga pjesëmarrësit, të cilët theksuan nevojën për vazhdimin e kësaj qasjeje bashkëpunuese, në mënyrë që të gjitha institucionet relevante t’i kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre me përgjegjësi dhe profesionalizëm, në mënyrë që viktimat e këytre veprave penale të trajtohen me profesionalizëm dhe me dinjitet të plotë