Izraeli duhet patjetër t’i ndalë bombardimet në Rripin e Gazës dhe vrasjen e civilëve, tha presidenti i Francës, Emanuel Makron, në një intervistë për BBC-në. Makroni tha se “nuk ka arsyetim” për bombardimet dhe shtoi se armëpushimi do t’i sillte dobi Izraelit.
Ai e përsëriti se Franca “i dënon qartazi veprimet terroriste” të grupit palestinez Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Por, ai shtoi se, derisa Franca e njeh të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur i bën thirrje t’i ndalin bombardimet në Gazë.
“Nga dita në ditë po shohim bombardime permanente të civilëve në Gaza. Armëpushimin e shohim si zgjidhjen e vetme, sepse është e pamundur të shpjegohet se dëshiron të luftosh kundër terrorizimit duke vrarë njerëz të pafajshëm. Mendoj se nuk ka justifikim sulmi ndaj civilëve. De fakto sot civilët po bombardohen. Këto foshnje, këto zonja, këta të moshuar po bombardohen e po vriten. Nuk ka arsye për këtë dhe as ligjshmëri. Prandaj, ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndalet”, tha Makron.
Në një reagim ndaj Makronit, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se liderët botërorë duhet ta dënojnë Hamasin, e jo Izraelin. “Këto krime që Hamasi po i kryen sot në Gazë do të kryhen nesër në Paris, Nju Jork dhe çdo kund në botë”, tha Netanjahu. Izraeli është përballur me thirrje të mëdha për t’u vetëpërmbajtur në luftën tashmë njëmujore me grupin ekstremist, Hamas, por thotë se militantët e këtij grupi, të cilët e sulmuan Izraelin më 7 tetor dhe vranë e rrëmbyen njerëz, do ta shfrytëzonin armëpushimin për ta rimarrë veten.