Lëvizja Vetëvendosje në Prizren ka reaguar ashpër ndaj qeverisjes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prizren, duke e akuzuar atë për “gllabërim të pushtetit” dhe për keqpërdorim të procesit të punësimeve në sistemin arsimor për qëllime politike.
Në një komunikatë për media, VV thotë se PDK po përdor çdo mjet dhe resurs në dispozicion për të ruajtur pushtetin. Sipas VV-së, rekrutimet aktuale në arsim po shfrytëzohen për përfitime partiake, duke mashtruar të rinjtë me premtime për vende pune.
“Komuna e Prizrenit dhe Drejtoria Komunale e Arsimit, gjatë katër viteve të fundit, nuk kanë ndarë asnjë vend pune me meritë. Përkundrazi, pozitat janë mbushur me persona të afërt me PDK-në, përfshirë kandidatë të dështuar në zgjedhje,” thuhet në reagim.
VV gjithashtu thot se në një takim të fundit, stafi arsimor është ndjerë i frikësuar dhe është tërhequr nga pjesëmarrja në aktivitete të fushatës, për shkak të presioneve politike. Sipas tyre, përfshirja e militantëve partiakë në pozita si drejtorë, sekretarë e mësimdhënës, është dëshmi e qartë e ndikimit politik në procesin e punësimit.
Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë thirrje Prokurorisë që të veprojë urgjentisht dhe me seriozitet për të hetuar rastet e përmendura, duke kërkuar drejtësi dhe llogaridhënie.
“Rinia e Prizrenit meriton mundësi të barabarta dhe një sistem meritokratik, jo manipulim politik. Shkelësit duhet të përballen me fuqinë e ligjit, pa mundësi shmangie,” përfundon komunikata e VV-së.