Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj disa zyrtarëve komunalë dhe një përfaqësuesi të një kompanie private për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik, në një rast që kap vlerën mbi 550 mijë euro. Dëmi i shkaktuar ndaj buxhetit të Komunës së Prizrenit, sipas aktakuzës, tejkalon shumën prej 412 mijë eurosh.
Rasti lidhet me tenderin publik për “Renovim dhe mirëmbajtje të objekteve të Komunës”, ku zyrtarët komunalë dyshohet se kanë favorizuar në mënyrë të paligjshme një grup operatorësh ekonomikë, duke shpërfillur pesë oferta të tjera që ofronin çmime më të ulëta. Menaxhimi i kontratës, sipas Prokurorisë, është bërë në mënyrë të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e punimeve të parapara nuk është realizuar.
Lidhur me këtë zhvillim, Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Prizren, ka reaguar përmes një komunikate për media duke mirëpritur ngritjen e aktakuzës dhe duke e cilësuar këtë rast si dëshmi të kapjes së institucioneve lokale nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kryetari i Komunës, Shaqir Totaj.
“Komuna e Prizrenit është shndërruar në vend të favoreve klienteliste, korrupsionit institucional dhe shpërdorimit të parasë publike,” thuhet në reagimin e VV-së, ku qeverisja e PDK-së përshkruhet si simbol i zhvatjes së buxhetit të qytetarëve.
VV-ja rithekson se qytetarët e Prizrenit meritojnë një pushtet të ndershëm, transparent dhe në shërbim të interesit publik, ndërsa shpreh bindjen se ky rast duhet të shërbejë si pikë kthese për rivendosjen e llogaridhënies dhe drejtësisë në nivel lokal.