Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se nuk janë të interesuar të kontribuojnë në zgjidhje gjysmake, por duan që të sigurohet një qeveri e shumicës.
Në konferencë për media pas dështimit të 51-të të konstituimit të Kuvendit, Limaj u shpreh se duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë qartësi rrugës përpara dhe që raste të tilla të mos përsëriten.
“Qëndrimi i Nismës është që nuk besojmë në zgjidhje parciale, duam shumicë qeverisëse e cila e konstituon Kuvendin edhe krijon qeveri. Nisma nuk do të kontribuojë në zgjidhje gjysmake që pastaj do të shkaktonin zgjedhje. Nuk duam shumicë ‘me episoda’ ”, ka thënë Limaj.
Kryetari i Nismës është takuar disa herë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Së fundmi ata u takuan në fundjavë. Në konferencë për media para dy ditësh, Kurti u shpreh se deri në fund të javës do të dihet se a ka koalicion me Nismën.
Limaj ka thënë se kërkesa e presidentes Vjosa Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese do ta sqarojë situatën për të ardhmen pasi, sipas tij, infrastruktura ligjore ka lënë zbrazëtira.
“Kërkesa e presidentes e ndihmon procesin, edhe aktualisht, edhe në të ardhmen. Infrastrukura jonë ligjore ka lënë zbrazëtira. Është në interesin e partive që të pritet mendimi i gjykatës. Nëse ka masë të përkohshme, të gjendet një zgjidhje”, ka thënë ai.
E për takimet me Kurtin, Limaj u shpreh se nuk po ka raportime të sakta nga mediat.
“Asnjëra nga to çka janë raportuar në media nuk janë ashtu. Nuk janë të vërteta. Për hir të korrektësisë, kemi biseduar më shumë tema programe, tema politike, diplomatike… fushën e sigurisë”, u shpreh Limaj.
Gjatë ditës së sotme, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ofruar marrëveshje të favorshme për Nismën Socialdemokrate, duke e konsideruar si “gjeneroze”.
Në një deklarim në “Interaktiv” të KTV-së të martën, deputeti i VV-së, Armend Muja, ka thënë se nuk ka mundësi t’i jepet posti i kryeparlamentarit “një partie me dy-tre deputetë”, duke aluduar te Nisma./KOHA/