Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se gjatë kësaj jave do të takohet me liderin e LVV-së, Albin Kurti, në tentim për të arritur një marrëveshje për të formuar shumicën parlamentare në Kuvend.
Ai pas dështimit të vazhdimit të seancës konstituive në Kuvend për herë të 47-të, tha se ia ka shtrirë dorën e bashkëpunimit Kurtit, por nuk tregoi nëse ka hequr dorë nga ambicia e tij për postin e kryeparlamentarit.
“Ne duhet me bashkëbisedua për të dal nga kjo situatë. Kuptoni se gjërat më të zakonshme po bëhen të jashtëzakonshme. Gjëja e parë është komunikimi për të dal nga kriza. Unë jam i interesuar po ashtu edhe me liderët tjerë politik me shikuar dhe me marrë mendimet sesi të dilet nga kjo situatë pasi është bërë e tepërt. Do të bisedojë me kryeministrin për të ardhur te një moment për të zgjidhur këtë situatë. Natyrisht duhet shikoheni mundësinë që mund të bëhen nga ai dhe nga ne sesi të tejkalohet kjo krizë”, tha ai.
Sipas tij, në zgjedhjet e 9 shkurtit është votuar për formim të qeverisë dhe postin e kryeministrit, andaj fokusi duhet të jetë në formimin e një shumice parlamentare për një qeveri stabile.
“Ne jemi të hapur për bashkëpunim dhe ia kemi zgjatur dorën e bashkëpunimit për të ndërtuar shumicën parlamentare…Mos më lejoni të përsëritëm nga Nisma ka dëshirë për të gjetur një zgjidhje…Kosova ka votuar për qeverinë dhe ne jemi të gatshëm për të ndihmuar për të përmbush atë vullnetin e shumicës. Partnerit shtrihet pastaj siç kemi biseduar ose shkon qeverisë vet. Këtë rast po kërkohet një shumicë që do të ofronte një qeverisje stabile”, theksoi Limaj./kp/