Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Prizren, përmes një komunikate për media ka kritikuar mënyrën se si po qeveriset Komuna e Prizrenit, duke ngritur pyetjen: Kush po e udhëheq realisht Komunën e Prizrenit?
Qytetarët e Prizrenit kanë të drejtë të dinë kush e mban përgjegjësinë për menaxhimin e përditshëm të punëve komunale.
Sipas LDK-së, kjo pyetje po dëgjohet gjithnjë e më shpesh nga qytetarët, komuniteti i biznesit dhe zyrtarët lokalë, si pasojë e mungesës së transparencës dhe vendimmarrjes së qartë brenda administratës komunale, të cilën e udhëheq kryetari Shaqir Totaj nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
“Qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush mban përgjegjësi për menaxhimin e përditshëm të komunës, për mënyrën si menaxhohen fondet publike, si vendosen prioritetet dhe kush i merr vendimet në emër të tyre,” thuhet në deklaratën e Zyrës për Informim të LDK-së në Prizren.
LDK akuzon pushtetin lokal për keqmenaxhim, abuzim me tenderë, mungesë të mbikëqyrjes dhe vendimmarrje jashtë kuadrit institucional, duke shtuar se këto praktika kanë krijuar perceptimin se drejtimi i komunës po bëhet nga struktura joformale, të cilat nuk janë legjitimuar nga vota e qytetarëve.
“Drejtimi i paqartë dhe mungesa e përgjegjësisë politike po e lë qytetarin në mjegull. Kjo situatë e rënduar kërkon përgjigje të menjëhershme institucionale: Kush po i merr vendimet dhe pse qytetarët nuk ndihen të përfaqësuar?”, shton më tej LDK.
“Prizreni meriton drejtim të qartë, të përgjegjshëm dhe të ndershëm. Heshtja dhe abuzimi nuk është zgjidhje”, thuhet në komunikatën e LDK-së dega në Prizren.