Tre avionë luftarakë rusë MiG-31 kanë shkelë hapësirën ajrore të Estonisë dje, të cilët u kapën nga NATO mbi Detin Baltik gjatë një shkeljeje 12-minutëshe të hapësirës, duke e cilësuar këtë si provë të sjelljes së ‘pamatur’ të Moskës.
Shumë liderë europianë dënuan këto akte të Rusisë dhe prapa me reagim nuk mbeti as kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
“Lajmi për shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia është shumë shqetësues. Kosova solidarizohet me Estoninë gjatë kësaj kohe”, ka shkruar Kurti në X.
Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, ish-kryeministre estoneze, akuzoi Moskën për një “provokim jashtëzakonisht të rrezikshëm” dhe tha se shkelja e fundit ruse e kufijve lindorë të NATO-s “përshkallëzon më tej tensionet në rajon”.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se Europa “qëndron me Estoninë” dhe do t’i “përgjigjet çdo provokimi me vendosmëri”.
“Ndërsa kërcënimet përshkallëzohen, do të rritet edhe presioni ynë”, tha ajo, duke u bërë thirrje 27 shteteve anëtare të BE-së që të miratojnë shpejt paketën e 19-të të sanksioneve të bllokut kundër Moskës.
Italia, Finlanda dhe Suedia ngritën avionë në ajër në kuadër të misionit të NATO-s për të forcuar krahun e saj lindor. Më vonë Rusia mohoi shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë.
Tensionet janë përshkallëzuar midis aleancës ushtarake të NATO-s dhe Rusisë javën e fundit, pasi Polonia dhe Rumania – të dyja anëtare të NATO-s – thanë se dronët rusë shkelën hapësirën e tyre ajrore.
Në përgjigje, NATO u zotua të zhvendosë asetet ushtarake, përfshirë avionët luftarakë, në lindje për të forcuar mbrojtjen.
Ambasadori estonez në Shtetet e Bashkuara, Kristjan Prikk, tha se ndërhyrja në hapësirën ajrore estoneze ishte “serioze” dhe se Rusia “është përpjekur ta testojë NATO-n për një kohë të gjatë”.