Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe njëkohësisht kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë, më 07.09.2025, në kuadër të zotimeve për programin e ardhshëm qeverisës, premtoi se “do ta krijojnë Njësinë ushtarake të përbashkët me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.”
KALLXO.com ka kontaktuar ministritë e Mbrojtjes së të dyja shteteve për detaje rreth këtij zotimi, por përgjigje ka ardhur vetëm nga Ministria e Shqipërisë. Ajo nuk sqaroi nëse kanë pasur konsultime mes dy vendeve për këtë çështje, duke theksuar se bëhet fjalë vetëm për citime të Kurtit.
“Referuar email tuaj, ashtu sikurse edhe ju e citoni, këto janë zotime të bëra nga Kryeministri i Kosovës në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes. Për sa më sipër, sugjerojmë të drejtoheni në Ministrinë e Mbrojtjes të Kosovës”- thanë nga Ministria e Shqipërisë për Kallxo.
Drejtimi i Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë i është besuar sërish Pirro Vengut në Qeverinë Rama 4, ndërkohë Kosova aktualisht ka ministër në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës i cili u shpall i konstituar ende nuk ka filluar funksionimin për të çuar përpara në formimin e Qeverisë së re. Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, në mënyrë që mos të bëhet asnjë veprim drejt formimit të ekzekutivit.
Shqipëria në vazhdimësi është treguar i gatshëm ta ndihmoj Kosovën në fushën e mbrojtjes. Është vend anëtar i NATO-s, organizatë ku Kosova synon që një ditë të anëtarësohet.
Gjatë mandatit të tij të parë, Vengu së bashku me dy homologët e tij nga Kosova dhe Kroacia, Ejup Maqedonci dhe Ivan Anushiq, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët që synon që të përçojë mesazh për stabilitet dhe bashkëpunim ndaj kërcënimeve që i kanosen rajonit.
Zërin kundër kësaj nisme e ngriti Serbia, në anën tjetër NATO nuk e kundërshtoi Deklaratën e nënshkruar të tri vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Duke marrë me shkas Deklaratën, ministri shqiptar Pirro Vengu kishte thënë se ka pasur përpjekje në zonën kufitare të Kosovës për të krijuar situata destabilizimi dhe situata që kërcënojnë rendin dhe sigurinë.
Sipas tij, duhet të jenë shumë të vëmendshëm dhe vigjilentë që t’i parandalojnë këto situata.
“Kërcënimet mund të jenë edhe të natyrës hibride, krime kibernetike, sabotazhe, elementë të kësaj natyre që mund të krijojnë destabilizim. Gjithashtu kemi kërkuar që Qeveria e Kosovës të akordojë të gjitha veprimet e saj me KFOR-in”- pati thënë Vengu për Euroneës Albania.
Nga nënshkruesit e kësaj deklarate, pra nga udhëheqësit e Mbrojtjes, në ditën e përbashkimit më 18.03.2025, në Tiranë, u tha shkurtër dhe qartë, që nisma është e hapur dhe mund të bashkohen edhe shtetet tjera.
Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, e cila po ashtu ka nën menaxhim Forcën e Sigurisë së Kosovës, është rritur dukshëm nga viti në vit. Për vitin 2025 ka një rritje prej 55 milionë euro më shumë – krahasuar me vitin e kaluar.
Për sivjet janë 208 milionë euro buxhet për këtë Ministri. Ndërsa, për vitin 2024 ishin ndarë gjithsej 153 milionë euro.
Përndryshe në vitin 2024 buxheti i tërësishëm i Kosovës ishte 3 miliardë e 314 euro, kurse 3 miliardë e 212 milionë euro në vitin 2023. Ndryshe prej rritjes 100 milionshe që ndodhi në vitin 2024, rritja për vitin 2025 do të jetë 294.