Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ishte prezent në eventin e organizuar më 27.05.2025 nga Ambasada e Kroacisë në Kosovë, me rastin e shënimit së Ditës Kombëtare të Republikës së Kroacisë.
Kurti ka potencuar faktin se Kroacia ka qenë ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën, duke shtuar se dy palët janë në rrugën dhe fatin e përbashkët europian.
“Kosova dhe Kroacia ndajnë lidhje të thella – të historisë, miqësisë dhe vlerave të përbashkëta. Kroacia ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Mbështetja juaj – politike, morale dhe praktike – ka qenë e palëkundur që atëherë. Për këtë, ne jemi thellësisht mirënjohës”- ka thënë Kurti.
Tutje, sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, në këtë ditë të rëndësishme për popullin dhe shtetin kroat, Kurti ka uruar presidentin Zoran Milanoviq, kryeministrin Andrej Plenkoviq dhe të gjithë qytetarët kroatë.
“Në fund, kryeministri theksoi se së bashku, mund të kontribuojmë për një rajon të lirë, demokratik dhe të ankoruar fort në vlerat euroatlantike, duke shtuar se do të vazhdojmë të thellojmë lidhjet tona dypalëshe në tregti, arsim, kulturë dhe mbrojtje”- thuhet në njoftim.
Gjithashtu, sipas njoftimit, Kurti përmendi komunitetin kroat në Kosovë dhe diasporën shqiptare në Kroaci për të cilat tha se “shërbejnë si ura të respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve tona”.