Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës në Gjermani, ka vizituar Portin e Hamburgut bashkë me përfaqësuesin e posaçëm të qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Kurti më 19.06.2024, ka thënë se kjo vizitë ka të bëjë me vëzhgimin e këtij skanimi me rreze X që zhvillohet në portin e Hamburgut për kontejnerët, maunët, dhe transportuesit e tjerë.
Ai i ka kërkuar Gjermanisë skanerë me rreze X për ta rritur sigurinë në kufijtë e Kosovës.
“Jemi të interesuar që të kemi tregti të sigurt andaj siguria në Kosovë nënkupton sigurinë e kufijve dhe sot në këtë vizitë po shohim se cilat janë edhe kushtet me të cilët qeveria gjermane do të ishte dakord që të na pajiste edhe neve me një skaner të këtillë me rreze X”- ka thënë Kurti.
Sipas tij, kjo do mundësonte që të rritej siguria në kufinjtë e Kosovës.
“Kjo do të bënte që të rritej siguria në kufijtë e Kosovës sa i përket mallrave që na hyjnë dhe gjithashtu të bëhemi pjesë e Evropës sa i përket mbikëqyrjes së kufijve dhe tregtisë së sigurt. E falënderoj edhe një herë z. Sarrazin për këtë mundësi në portin e Hamburgut ku bëhet kontrolli kulmor i mallrave sa i përket sigurisë”- u shpreh Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron për vizitë në Gjermani.
Në Hamburg të Gjermanisë, kryeministri Kurti po shoqërohet nga ministri për Kthim edhe Komunitete, Nenad Rashiq dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani. Atje po qëndron me ftesë të Përfaqësuesit të Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.